Ministri Krasniqi: Komuniteti sportiv të punojë për të qenë i gatshëm për prezantim të barabartë në arenën ndërkombëtare

Ministri Krasniqi: Komuniteti sportiv të punojë për të qenë i gatshëm për prezantim të barabartë në arenën ndërkombëtare

Ministri Krasniqi: Komuniteti sportiv të punojë për të qenë i gatshëm për prezantim të barabartë në arenën ndërkombëtare

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka përshëndetur sot mbajtjen e Asamblesë se VI-të zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës, që po mbahet sonte në Prishtinë.

Në një fjalë rasti ministri Krasniqi iu ka uruar delegatëve punë të mbarë, duke shprehur besimin për një proces zgjedhor shumë demokratik. Ai ka folur po ashtu për zhvillimet në sportin e Kosovës në përgjithësi, duke vlerësuar se ka pasur progres të madh, por shtoi se ka ende shumë sfida para nesh.

Ministri Krasniqi tha se vizita e para disa ditëve e dy zyrtarëve të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, përben një dëshmi të fortë për arritjet e Kosovës dhe për lajmet e mira që e presin në të ardhmen.

“Ata vështruan nga afër sportin, takuan sportistë e takuan shumë prej juve dhe ka qenë ndjenjë shumë e mirë teksa kam dëgjuar fjalë shumë të mira nga ta për punën tonë, por edhe për mbështetjen që ata do t’i japin përpjekjes sonë shumë të drejtë për të qenë pjesë e barabartë në arenën ndërkombëtare sportive”, tha ministri.

Teksa ka folur për procesin e ndërkombëtarizimit, ministri tha se Kosova është shumë afër të thyejë gjithë atë izolim që i është bërë për vite me radhë.

“Siç e dini ne tashmë kemi arritur që të plotësojmë kriterin teknik për aplikim të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, dhe mbi të gjithë kemi krijuar komunikim zyrtar me këtë mekanizëm. Këta janë vërtetë hapa shumë thelbësor që na japin një motivim shtesë që të kalojmë me sukses hapat e fundit.

E kam thënë se në këtë drejtim ne tashmë jemi të gatshëm që më shumë kujdes të hyjmë në këtë proces final. Sot, të nderuar delegatë, çdo kërkesë e jona për pranim në një federatë shqyrtohet me më shumë seriozitet. Futbolli, që është një nga sportet me të popullarizuara, është një nga shembujt për këtë, e që në dhjetor pritet të marrë konfirmim për të zhvilluar ndeshje miqësore në arenën ndërkombëtare. Ka edhe plot shembuj të tjerë të ecjes përpara, dhe gjithë këto përveç që janë një rezultat i punës sonë, janë një meritë e pakrahsuar e vullnetin të sportistëve tanë të rinj, e me këtë rast dua të përmend kampionen tonë Majlinda Kelmendi, që sot është edhe delegate në këtë Kuvend, për të punuar dhe arritur rezultate të mëdha, duke pasur gjithmonë në mendje dhe zemër përfaqësimin e shtetit”, tha ministri Krasniqi.

Infrastruktura sportive tha ministri Krasniqi, është një sferë kur ka pasur hapa konkret në këto dy vjet. Ai tha se MKRS ka bërë këto dy vjet investime multi-milionëshë në ndërtimin e palestrave, poligoneve sportive, stadiumeve të futbollit e po ashtu edhe në krijimin e qendrave të mëdha me shumë terrene sportive, siç është Qendra Multimediale në Mitrovicë, që është një investim prej mbi 20 milionë euro, e ku do të ketë terrene sportive për shumë sporte.

“Janë 11 stadiume që kanë nisur të rinovohen sivjet e të tjera do të jenë ne plan në vitin e ardhshëm. Por përveç kësaj, ne për herë të parë kemi menduar që sportin ta vendosim në agjendë të partnerëve tanë ndërkombëtarë këtu në Kosovë. Janë 6 stadiume ndihmëse të futbollit që do të nisin së ndërtuari me 6 dhjetor, e që janë në kuadër të donacionit që MKRS-ja ka marrë nga Komisioni Evropian.

Në Mitrovicë tashmë ka nisur së ndërtuari Qendra Multifunksionale që do të ketë terrene për sporte të ndryshme, xhudo, ping-pong, pishinë gjysmë-olimpike e hapësira të tjera. Ky është një investim prej mbi 20 milionë euro që po bëhet nga MKRS-ja dhe Komisioni Evropian”, tha ai teksa ka siguruar se investimet do të rriten në të ardhmen.

Ministri Krasniqi iu ka bërë thirrje delegatëve nga federatat që të punojnë edhe më shumë për rritjen e cilësisë në organizim të garave.

“Unë kam besim se edhe përkushtimi juaj do të jetë edhe më i madh për gara më cilësore, duke ndjekur praktikat me të mira ndërkombëtare. Ky është një segment që duhet shumë të punoni secili prej jush, në mënyrë që kur komuniteti ndërkombëtar të na i hap plotësisht dyert ne vërtetë të jemi një shembull i mirë dhe të jemi të gatshëm të përfaqësohemi denjësisht’, ka thënë Ministri.

Këtë Asamble e ka përshëndetur edhe Sekretari i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i cili ka ofruar edhe një herë mbështetjen e KOKSH-it për sportin në Kosovë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se bashkëpunimet mes dy komiteteve do të rriten gjithnjë e më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *