PAMJE PANORAMIKE NGA KALAJA DURRES. KARTOLINE VINTAGE. E STAMPUAR NGA MIHAL GJERGU & VLLA - DURRES.

PAMJE PANORAMIKE NGA KALAJA DURRES. KARTOLINE VINTAGE. E STAMPUAR NGA MIHAL GJERGU & VLLA – DURRES.

PAMJE PANORAMIKE NGA KALAJA DURRES. KARTOLINE VINTAGE. E STAMPUAR NGA MIHAL GJERGU & VLLA - DURRES.

Beteja e Durrësit është një betejë detare e zhvilluar ne afërsi të brigjeve të këtij qyteti, gjatë luftës së parë boterore, ekzaktësisht mes datave 28 dhe 29 dhjetor 1915, afër gjirit të Durrësit, mes marinës austriake dhe elementëve të marinës britanike, franceze dhe italiane. Beteja ku u përfshinë trupat e aleatëve dhe marina detare austriake është dokumentuar në shumë materiale historike të asaj kohe. Por beteja detare është përcjellë edhe nëpërmjet kujtimeve të protagonistëve të saj, ushtarakëve të asaj kohe. Përmes kujtimeve dhe studimeve të admiralit italian Alberto Da Zara, ushtarakut francez A.Thomazi dhe studiuesit Dusan T. Batakovic zbardhen disa nga aspektet e kësaj beteje detare që u zhvillua rreth 100 vjet më parë në bregdetin e Durrësit.

Durrëslajm risjell edhe njëherë për kërshërinë e lexuesve këtë shkrim të botuar në gazetën "Dyrrah", më 5 nëntor 2012.

Sfondi historik i saj

Në bregdetin e qytetit të Durrësit është zhvilluar një nga betejat detare më të mëdha të periudhës së Luftës së parë Botërore, betejë që u regjistrua mes flotave ushtarake detare të Antantës dhe asaj austriake. E gjithë kjo përplasje është bërë në sfondin e një manovre mes trupave ushtarake të blloqeve të ndryshme kundërshtare për të shpëtuar trupat serbe nga asgjësimi, shpëtim, i cili duke iu referuar studiuesit Batakovic, u realizua nga ndihma që iu dha trupave serbe nga Esat Pashë Toptani.

“Vetëm ndihma e Esat Pashë Toptanit shpëtoi serbët nga asgjësimi”,- thotë studiuesi i huaj në librin e tij “Serbian Government and Essad Pasha Toptani”) për këtë betejë të rëndësishme te luftës së parë botërore. Beteja është zhvilluar si pjesë e teatrit të luftimeve të asaj periudhe të trazuar, kur në vitin 1914 Austro-Hungaria pushtoi Serbinë. Ofensiva autriake ka qënë e fuqishme dhe ka detyruar ushtrinë serbe, të shoqëruar me trupa civile të tërhiqej duke bërë një marshim 2 mujor në panik përmes Kosovës, Malit të Zi, dhe Shqipërisë drejt portit të Durrësit nga ku ishin evakuuar trupat aleate.

Sipas të dhënave të asaj periudhe numri i viktimave serbe ka qenë mjaft i madh, rreth 150.000. Ata ishin pjesë e atyre trupave që kishin bërë krime nga më makabret kundër popullsisë shqiptare, por që më pas u rrënuan nga kundështarët e tyre potencialë. Kujtimet nga ajo kohë i sjell admirali Alberto Da Zara, në librin e tij të botuar në Verona, 1949, nga shtëpia botuese Mondadori.

Në të njëjtën kohë një autor francez, ish ushtarak pjesëmarrës në këtë betejë me trupat ushtarako detare franceze, sjell në vëmendje të bashkëkohësve ngjarjet që shoqëruan periudhën para dhe gjatë asaj beteje detare. Ai nënvizon në kujtimet e veta se si Franca, Italia dhe Britania e Madhe i dhanë një ndihmë të pamerituar serbëve duke bërë të pamundurën për të mundur austriakët në brigjet afër qytetit shqiptar të Durrësit.

Kujtimet e Da Zarës

Sipas kujtimeve të ushtarakëve pjesëmarrës si dhe ato të admiralit të njohur italian të luftës së parë botërore Alberto Da Zara, i cili në këtë betejë ishte komandant i një anije siluruese, në nëntor të vitit 1915, pavarësisht se gjenerali Cadorna ishte shprehur kundër dërgimit të trupave italiane në territorin shqiptar u krijua njësia e “trupave speciale italiane”, me qëllimin luftarak për të vepruar në Shqipëri. Sipas të dhënave historike të Ministrisë italiane të Luftës së asaj periudhe, të gjitha këto trupa përbëheshin nga rreth 50 000 ushtarë.

Karvani i dytë i trupave italiane është nisur nga porti i Tarantos me datën 2 dhjetor të atij viti dhe sipas historikut të këtij mjeti lundrues, anija ushtarake “Mbreti Umberto”, kur ka hyrë në gjirin e Vlorës ka ndeshur në një minë detare dhe është mbytur. Nga shpërthimi i minës në mjetin luftarak në bordin e të cilit ndodheshin rreth 765 trupa ushtarake, kanë humbur jetën 53 prej tyre. Gjithashtu është mbytur edhe destrojeri “Intrepid”.

Sipas kujtimeve të ushtarakëve, trupat speciale kishin si detyrë të mbanin nën kontroll Vlorën dhe Durrësin, si dhe të mbronin mbeturinat e ushtrisë së shpartalluar serbe nga sulmet austriake dhe t’u dërgonin atyre furnizime. Në Durrës duhej të realizohej zbarkimi në linjë detare i brigadës Savona, por ky plan u anullua dhe më 3 dhjetor regjimenti i 15 i këmbësorisë dhe 2 bateri malore u nisën për në Durrës dhe arritën aty me datë 9 të po atij muaji. Detyra parësore e ushtrisë ishte përkujdesja për të ndihmuar tërheqjen e trupave të shpartalluara serbe nga Shqipëria.

Beteja

Me 28 dhjetor, kur nga vendkomandën e forcave detare austriake të dislokuara në Kotorr, të Malit të Zi është zbuluar që në Durrës një avullore dhe disa veliera italiane po zbarkonin furnizime për serbët dhe 2 anije kacatorpedinierë ishin në patrullim, komandanti austriak urdhëroi kryqëzorin e lehtë Helgoland dhe 4 kacatorpedinierë të klasit Tatra për të kryer një sulm të shpejtë në gjirin e Durrësit me qëllim për të kapur në befasi dhe për të shkatërruar anijet armike.

Në mesnatën e datës 28 dhjetor Helgoland së bashku me 4 kacatorpedinierë kanë lënë portin e Kotorrit. Rreth orës 02.30 ata kanë ndeshur ne kursin e tyre nëndetësen franceze “Monge”, që u sulmua prej tyre dhe pas goditjeve me mina thellësie u zhyt. Rreth orës 06.00 “Helgoland” dhe 5 mjetet e tjera që e shoqëronin u drejtuan drejt brigjeve Shqiptare në jug të Durrësit për të parandaluar grumbullimin e ushtrisë italiane në Vlorë, ndërsa 4 kacatorpedinierët u drejtuan drejt Durrësit, ku fundosën një avullore dhe bombarduan vijën e fortifikuar ushtarake.

Por, në të njëjtën kohë ato u shënjestruan nga dy bateri artilerie të vendosura jashtë qytetit. Zjarri ka qenë shumë i ashpër kështu që mjetet detare u tërhoqën duke përfunduar në një zonë të minuar. Kacatorpedinieri “Lika” u mbyt, “Triglav” u dëmtua rëndë dhe me pas u rimorkiua nga “Tatra” dhe u drejtuan ngadalë nën mbrojtjen e “Helgoland” dhe të kacatorpedinierëve “Csepel” e “Balaton” drejt Kotorrit.

Kur lajmet për sulmin armik arritën në Brindizi, ishin nisur ndërkohë drejt Kotorrit kryqëzori “Dartmouth”, “il Quarto”, “Nino Bixio” e “Weymonth” dhe 4 copë kacatorpedinierë italianë (midis tyre “Nievo” që komandohej nga Alberto Da Zara) e 5 mjete franceze për të parandaluar grupimin e trupave detare austriake. Rreth orës 13:00, mjetet detare “Dartmouth”, dhe “il Quarto” me kacatorpedinierët francezë pikasën austriakët të cilët me të braktisur “Triglavin” u drejtuan drejt perëndimit për t’i shpëtuar njësive ushtarake të “Inteza”, të cilët u shfaqën papritur në veri. Nisi kështu për anijet e nisura nga Brindizi, ndjekja e anijeve austriake deri natën vonë.

Duke përfituar nga errësira Helgolandi dhe tre kacatorpedinierët e mbijetuar duke u drejtuar drejt veri perëndimit arritën t’i shmangeshin ndjekjes së mëtejshme. Pasi Helgolandi riparoi avaritë tentoi më 6 janar një tjetër sulm drejt Durrësit, por sapo pikasi patrullat e ushtrisë italiane, u rikthye në bazë në Kotorr. Italianet mbetën në Durrës duke i ndihmuar serbët deri në shkurt 1916, kohë në të cilën nuk mundën më që t’u rezistonin austriakeve dhe u detyruan që të braktisnin qytetin nëpërmjet detit, natën mes 22 dhe 23 shkurtit. Më pas Durrësi u pushtua nga austriakët, të cilët nuk mësynë më drejt Vlorës, që mbrohej nga 100 000 italianë.

Da Zara, Alberto (1889–1951)

Admiral i marinës italiane

Ka lindur në Padua më 8 prill 1889 në një familje me origjinë hebraike. Alberto da Zara ka hyrë në Akademinë detare në vitin 1907 dhe është diplomuar në vitin 1911. Ka marrë pjesë në luftën italo-turke të vitit 1911-1912 dhe në Luftën e Parë Botërore. Ka marrë 2 medalje argjendi për trimëri gjatë shërbimit si komandant i mjetit motorik silurues. Ka përparuar në karrierë duke marrë gradën e lejtnantit në vitin 1923 dhe nga viti 1924 deri në vitin 1925 ka komanduar detashmentin detar në Kinë dhe ka shërbyer në shtatmadhorinë e Komandës Detare të Venecias.Në 1927 ai u gradua komandant dhe në vitin 1930 u emërua zëvendës komandant i anijes luftarake “Duilio”. Më pas ai ka komanduar luftanije të tjera duke përfshirë kryqësorin Montecuccoli, me të cilin në vitin 1933 ai bëri një dalje shtegtim të gjatë në detet e Lindjes së Largët. Ai ka qënë ushtaraku që ka urdhëruar kryqëzorin Aosta më 12 shkurt të vitit 1937 për të kryer bombardimin e egër të pozicioneve republikane në Valencia gjatë Luftës Civile Spanjolle.

Pasi u gradua Kapiten në vitin 1939 ai ka komanduar Komandën Detare Shqiptare. Kur Italia hyri në luftë në qershor të vitit 1940, Da Zara ka komanduar skuadronin nën flamurin e tij nga kryqëzori “Di Giussano” metë cilin mori pjesë në betejën e zhvilluar me britanikët ne Kalabri, me 9 korrik 1940. Da Zara ka marrë më pas komandën e Arsenalit të Venecias dhe nga muaji gusht 1941 ai ka qenë kreu i Inspektoriatit Ushtarak të Nëndetëseve. Më pas ai u shqua në drejtimin e Divizionit të Admiraliatit.

Me shërbimet e tij në luftërat detare ai ishte mbase admirali më efektiv italian i luftës. Doli në pension në shtator 1946 dhe nisi të shkruajë memorialet e tij të luftërave të asaj periudhe. Vdiq në Foxhia më 4 qershor 1951.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *