5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua në Akademinë e Lartë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Turqisë

5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua në Akademinë e Lartë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Turqisë

5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua në Akademinë e Lartë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Turqisë

Prishtinë, 28 shkurt 2013 – Nën patronatin e Komandantit të Akademisë së Lartë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, gjenerallejtënant Raif Akbash, në ambientet e Akademisë së Lartë të Forcave Tokësore në Stamboll, u organizua program festiv në shenjë të 17 Shkurtit –Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Duke pasur parasysh traditën e nderimit të ushtrive mike që kanë oficerët e tyre në këtë Akademi, ketë vit në këtë Qendër, Forca e Sigurisë së Kosovës ka në studime të specializuara oficerin e saj, nënkolonel Sefer Isufi, në kuadër të Implementimit te Marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak.

Në mesin e flamujve të shumë vendeve të Botës në këtë Qendër me tradite të gjatë 165 vjeçare, është vendosur edhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Pika qendrore e Programit ishte Prezantimi i Republikës së Kosovës, rrjedhat historike dhe shoqërore të saj, pozitën gjeostrategjike, statusin demografik dhe ekonomik ,specifikat kulturore dhe etnologjike, nga ana e oficerit të lartë të MFSK-së, nënkolonel Sefer Isufit, të gjitha këto të shoqëruara me përshkrim vizual përmes video-projektorit.

Në paraqitjen e tij, nënkolonel Isufi foli për luftërat për Liri dhe Pavarësi që zhvilloi populli shqiptar i Kosovës që nga fillimet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane e me fokus të veçantë ; pozitën e Kosovës gjatë ish- Jugosllavisë, Demonstratat e vitit 1968,1981 dhe ato të viti 89-90, organizimin e rezistencës paqësore, me theks të veçantë formimin e UÇK-së, zhvillimet e pastajme, veprimtarinë luftarake të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, Betejën e Jasharajve, reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, luftën e UÇK-së kundër ushtrisë , policisë pushtuese serbe, masakrën e Reçakut, bisedimet në Rambuje, ndërhyrjen e NATO-së, çlirimin e Kosovës dhe administrimin e Kosovës nga ana e misionit të OKB-së deri në datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, procesin e njohjeve të Kosovës si dhe hapësirë e veçantë iu kushtua Forcës së Sigurisë s Kosovës ngritjes dhe zhvillimit të saj të suksesshëm.

Në vazhdim, nënkolonel Isufi prezantoi video-reportazhin e shkurtër ku pasqyroheshin begatitë kulturore, historike dhe muzeale si dhe bukuritë natyrore që ka Kosova, si dhe harmoninë e bashkëjetesës së të gjitha komuniteteve, veçanërisht në fokus raportet shqiptaro –turke. Me theks të veçantë edhe për misionin humanitar, paqeruajtës të kontingjentit turk të KFOR-it, përkrahjen dhe mbështetjen e madhe të oficerëve turk dhe në përgjithësi të Forcave të Armatosura të Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të nevojshme të MFSK-së dhe FSK-së etj.

Pas prezantimit, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Metin Gyrak i ndau nënkolonel Isufit mirënjohjen e tij dhe të Komandantit të Akademisë me motivacion: për prezantimin jashtëzakonisht të mirëpritur nga të pranishmit. Ndërsa, nënkolonel Sefer Isufi në shenjë falënderimi për nderin dhe respektin që iu bë FSK-së dhe popullit të Kosovës me këtë rast i dhuroi Komandantit një punim artistik me flamurin e Republikës së Kosovës.

Gjeneralmajor Gyrak vlerësoi lartë prezantimin e nënkolonel Isufit dhe në fjalën e tij zyrtare me këtë rast dërgoi përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës dhe për pjesëtarët e FSK-së me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke u shprehur i kënaqur me e pjesëmarrjen e Kosovës me oficerin e saj në Akademi si dhe duke u zotuar në mbështetjen e pandërprerë dhe me intensive për ngritjen e Ushtrisë së Kosovës.

Kjo Akademi ndër me prestigjiozet në kuadër të vendeve të NATO-s dhe më gjerë, u formua në vitin 1848 dhe është qendra ku përgatiten kuadrot komanduese dhe shtabore të nivelit taktik, operacional , strategjik dhe Sigurisë Kombëtare të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe shteteve që dërgojnë kuadrot e tyre. Në këtë Akademi diplomoi edhe Themeluesi i Turqise, Mustafa Kemal Ataturk së bashku me Komandantin e Parë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Ali Shefqet Shkupin, Ministri i Parë i Forcave të Armatosura të Qeverisë së parë të Shqipërisë, Mehmet Pashe Deralla,dhe shefi aktual i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe shume komandant të ushtrive të shteteve pjesëmarrëse.

Programi festiv u mbajte me pjesëmarrjen e Komandantit të Akademisë së Lartë të Forcave Tokësore, gjeneralmajor Metin Gyrak, stafit të tij dhe të oficereve të shumë vendeve të Botës që aktualisht studiojnë në këtë Qendër(nikoqiri-Turqi, SHBA, Mbreteria e Bashkuar, Shqipëri, Kore Jugore, Bosnje dhe Hercegovine, Maqedoni, Ukraine, Gjeorgji, Algjeri, Egjipt, Pakistan, Mauritani,Tunizi, Azerbajxhan, Kazakistan, Kirgistan, Uzbekistan, Afganistan, Gambi dhe Moldavi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *