resized_2

resized_2

resized_2

Ishte viti 2002, atëherë kur çdo lagje e Tiranës i ngjante një katrahure. Atëherë, filloi edhe prishja e ndërtimeve pa leje. Ishte koha kur kishte dalë në modë hedhja e mbeturinave nga dritarja, pak rëndësi kishte se nga cili kat mund të binin ato. Enedi, atëherë ishte vetëm 20 vjeç, por nuk kishte turp të dilte me lopatë për të pastruar Tiranën. Dilte çdo të shtunë nëpër lagjet e Tiranës për të pastruar ambientet e mbuluara nga mbeturinat. Atë kohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk besonte që Tirana do të shndërrohej në një qytet aq të pastër falë nismës së këtij të riu. Por, pasi pa rezultatet e para, ishte vetë ai që iu bashkua kësaj iniciative për të pastruar qytetin në të cilin ishte zgjedhur kryetar bashkie. Enedi atë kohë kishte bërë thirrje në fakultetin e tij. Ishte viti 2002 dhe ai studionte për Juridik.

Shumë studentë iu bashkuan atëherë nismës së tij. Ai njihet jo vetëm si djali i një ambientalisti, por e ka fituar tashmë edhe vetë këtë status. Ka katërmbëdhjetë vjet që përpiqet të mos e dëmtojë natyrën. Dhe këtë frymë, ai dëshiron që t’ia përcjellë sa më shumë njerëzve. Sot, ai ka nisur një fushatë tjetër sensibilizimi dhe mbrojtjeje. E ka quajtur: “Unë Ricikloj”. Kjo është një nismë mjedisore që synon të motivojë komunitetin dhe individët që të jetojnë në një mjedis sa më të pastër. Sepse një mjedis i qëndrueshëm dhe me më pak mbeturina, është fillimi i një jete të shëndoshë. Ndryshe nga shumë fushata ndërgjegjësuese apo takime strategjike për riciklimin, nisma e këtij të riu vjen si nevojë e zgjerimit të shërbimeve dhe punëve ekologjike. Enedi tha për “Shekulli”-n se kjo nismë do të jetë shumë e mirë edhe për ata romë që shpeshherë i shohim të zhytur në kazanët e mbeturinave. Nëse ata e quajnë këtë një formë mbijetesë, atëherë projekti i Enedit do t’i favorizojë ata më shumë se çdo nismë tjetër që është ndërmarrë në këtë vend.

“Nuk janë tërësisht të reja për vendin tonë pamjet kur persona të komunitetit rom i shikonim të zhytur në kazanët e mbeturinave. I kemi parë të gjithë. Ata kanë qenë të rinj, burra dhe gra. Por fatkeqësisht edhe fëmijë të vegjël. Të gjithë duke mbledhur kanoçe nëpër kazanët e plehrave. Një formë riciklimi dhe sigurimi jetese është dhe kjo, por e rrezikshme dhe shfrytëzuese për fëmijët. Ne duam që t’i punësojmë këta njerëz. Sigurisht jo fëmijët",- thotë Enedi në përpjekje për të na rrëfyer projektin e tij. Në fakt është një nga ato projekte të cilët janë mbështetur kudo në botë. Enedi po angazhohet që këtë muaj të vendosë në dhjetë lagjet më të mëdha të Tiranës kosha praktikë e të mëdhenj për mbeturinat e diferencuara. Këta kosha të mëdhenj do të ndahen në katër sektorë: në atë të qelqit, të plastikës, të letrës dhe të mbeturinave organike. Me pak fjalë, mendohet që shumë shpejt Tirana dhe banorët e saj të mësohen që t’i hedhin mbeturinat e tyre në vendin e duhur.

Ne e pyesim Enedin se sa i vështirë duket realizimi i këtij projekti? Ai thotë se, asgjë nuk është e vështirë. “Kjo nismë është shumë e lehtë për mua. Dhjetë vjet më parë i mblidhja mbeturinat me lopata. Tani ka ardhur koha që të tregojmë se jemi të kulturuar dhe kemi mundësi ta mbrojmë ambientin ku ne jetojmë jetojmë. E rëndësishme është që unë dhe stafi im të dimë të ndërgjegjësojmë familjarët, të cilët realisht do ta kenë të vështirë t’i ndajnë mbeturinat e tyre. Faktikisht, ne kemi disa muaj që jemi duke bashkëpunuar me disa institucione private. I japim atyre kosha për mbeturinat dhe më pas i dërgojmë personat tanë për të marrë kazanët e mbushur me letra dhe plastikë kryesisht”. Ened Mato na tregon se, asnjë institucion nuk ka kosha të ndarë mbeturinash, përveç bashkisë së Tiranës. Na tregon se Edi Rama e kishte sjellë këtë kulturë në institucionin ku ai drejtonte projektet e Tiranës.

Sot, edhe pse të gjithë politikanët tanë kanë qenë jashtë Shqipërisë, duket se askush nuk është përpjekur që të zbatojë një projekt të tillë në institucionin ku udhëheq. Mato na tregon se, me të rinjtë dhe me fëmijët, puna do të jetë më e thjeshtë. Në një nga portalet sociale, Enedi ka hapur një konkurs. Atë e ka titulluar “Unë Ricikloj”, njëlloj si edhe iniciativën. Ka më pak se dhjetë ditë që ka nxitur një konkurs me punime që janë bërë me materiale të riciklueshme. Deri tani janë rreth 50 persona të cilët kanë paraqitur punimet e tyre në këtë faqe. Kjo sipas tij, tregon se të rinjtë janë të interesuar t’u japin forma të reja materialeve, të cilat mund të përdoren edhe për nevoja të tjera. Pas iniciativës për të përhapur një kulturë të re kazanësh, Enedi ka ndër mend të lidhet me personat e duhur për të bërë riciklimin e vërtetë. Hapi i parë, gjithsesi, mbetet ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe ndarja e mbeturinave në kosha të veçantë.

Nuk bëhemi kriminelë të vendit ku jetojmë

Po e ndihmoni ju shoqërinë shqiptare të ndihet më pastër?

Gjatë gjithë kësaj kohe që ne kemi bashkëpunuar me institucione, organizata, përfaqësi ndërkombëtare, hotele etj, për të ofruar falas shërbimin e mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave. Edhe koshin e mbeturinave që ndahet në katër sektorë, e japin me çmimin që ne vetë e kemi porositur. Shërbimi jonë konsiston në sigurimin e koshave dhe mbledhjen e mbeturinave të ndara, në mënyrë që të gjithë të riciklojmë dhe të përfitojmë produkte të ricikluara.

Si janë këto kosha?

Koshat janë të standardeve më të arrira, me ngjyrat dalluese, mbishkrimet e mbetjeve, me kapakë të formave të posaçme, praktike në përdorim dhe të përshtatshme për zyra, ambiente luksoze dhe oborre të mëdha. Ndahen në katër pjesë: plastika, metale, letra dhe plehra. Së shpejti, do të vendosim shumë prej tyre në rrugët kryesore të Tiranës. Ato kushtojnë dhe ne do t’i vendosim të parat në lagjet më të mëdha, sa për të dhënë idenë e parë.

Çfarë përfitojmë realisht? Çfarë mund të riciklojmë kryesisht?

Alumini është 100% i riciklueshëm. Ai mund të shkrihet dhe të rikthehet në formën e mëparshme pa humbur asnjë cilësi. Ky proces mund të përsëritet pambarim. Riciklimi i 1 ton alumin kursen emetimet e 9 ton CO2. Riciklimi i kanoçeve të aluminit ka përfitime të rëndësishme mjedisore, duke përfshirë reduktimin e mbeturinave. Xhami, nga ana tjetër, përbën një nga mbetjet e mëdha në jetën e përditshme, për shkak të peshës dhe dendësisë së tij. Riciklimi i qelqit përdor më pak energji sesa prodhimi i xhamit nga rëra, gëlqerja dhe soda. Çdo ton (1000 kg) qelqi i ricikluar kursen 315 kg dyoksid karboni të lëshuar në atmosferë gjatë krijimit të qelqit të ri. Dhe shumë të tjera. Në një farë mënyre, nuk bëhemi kriminelë të vendit ku jetojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *