Dokumentet e prezantuara në takimin e parë të “Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit”

Dokumentet e prezantuara në takimin e parë të “Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit”

Dokumentet e prezantuara në takimin e parë të “Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit”

Bruksel, 30 maj 2012 – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në takimin e parë të “Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit”, ka prezantuar këto dokumente:

1. Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit;
2. Strategjia për kalimin e përgjegjësive të EULEX-it në institucionet e Qeverisë së Kosovës;
3. Propozim për struktura të reja në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

DIALOGU I STRUKTUARUAR PER SUNDIMIN E LIGJIT

Pikët diskutimit

Sundimi i Ligjit është shumë i rëndësishëm për Qeverinë e Kosovës dhe ne jemi shumë të përkushtuar për të bërë progres në këtë fushë;

Republika e Kosovës çmon këtë mundësi për t’i theksuar vijat e trasha të progresit në drejtësie dhe shpreson që të shohë më shumë nga kolegët tanë nga BE se si ky proces mund të avancojë procesin tonë të vazhdueshëm të integrimit në BE. Në veçanti, nëse ka ndonjë sferë me prioritet e cila dallon nga Raporti I Progresit të vitit 2011, ne do të mirëpresim mendimet tuaja si vlerësim më të hershëm për të pasur më pas një vlerësim më të mirë në vjeshtë.

Mekanizmat e tanishëm që i kemi, me të gjitha forcat e përbashkëta të Qeverisë dhe degët tjera të pavarura të pushtetit janë fokusuar gjatë viteve të kaluara, sidomos gjatë këtij një viti e gjysmë, në sjelljen e një reforme ligjore në sistemin e drejtësisë. Në mesin e tyre vlen të përmenden:

– Kodi i ri Penal: Është miratuar nga Kuvendi por është kthyer pas nga Presidentja për të ndryshuar nenet 37 dhe 38. Vlen të ceket se asnjëra nga grupet punuese nuk kanë shprehur shqetësime apo argumente ligjore për të kundërshtuar mbajtjen e mëtejshme të këtyre dy neneve dhe prandaj të dyja nenet janë mbajtur në Projekt-kod derisa janë ngritur shqetësime të vlefshme nga Gazetarët. Të tjera vërejtje nuk janë bërë mbi përmbajtjen aktuale të Kodit.
– Kodi i ri i Procedurës Penale: tashmë I është dorëzuar Kuvendit dhe Komisionet kanë filluar të punojnë në të. Ky Kod, përveç kohës rekord gjatë së cilës është dashur të përgatitet, sjellë shumë procedura të reja si dhe ka fshirë shumë të tilla të vjetra në mënyrë që të arrihet efikasitet I procedurës, duke u përkujdesur në të njëjtën kohë për të garantuar të drejtat e njeriut. Praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është konsultuar gjatë gjithë kohës gjatë përgatitjes së Kodit në mënyrë që të sigurohet përputhja me Konventat ndërkombëtare.

Edhe shumë hapa të tjerë janë ndërmarrë kundër korrupsionit: Presidentja Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili përfshinë ekspertë nga Qeveria, Kuvendi, Auditori, Gjyqësori e Prokuroria, Agjencioni Kundër Korrupsionit dhe Shoqëria Civile. Këshilli ka ngritur vëmendjen dhe ka themeluar një grup punues për tu përgjigjur efektivisht duke zbatuar ligjin e aplikueshëm kundër korrupsionit dhe për ta fuqizuar më tej kornizën ekzistuese ligjore.

Në luftën kundër korrupsionit, më lejoni që të përmend se Ministria e Drejtësisë, deri më tani ka hartuar një pako jo të vogël të ligjeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke hartuar këto ligje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit:

o Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve;
o Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale;
o Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik;
o Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik;
o Ligji për mbrojtjen e informatorëve;
o Ligji për përgjegjësinë penale të personave juridik.

Gjithashtu, më duhet të përmend vetëm disa nga risitë kryesore që janë sjellë me Kodin e Ri Penal drejt luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: tani detyrohen kryesit e veprës penale që të bëjnë kompensimin e dëmit të shkaktuar me veprën e tyre penale, është rritur pragu për deprivimin nga e drejta për t’u zgjedhur, Konflikti i interesit tani mund të dënohet edhe me burgim deri në tri vite, apo në çështje të prokurimit edhe me dënim deri në 5 vite, Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, përveç që është definuar shuam mirë, tani mund të dënohet me deri në 12 vite burgim, Është rritur dënimi për pranimin e ryshfetit apo mitos, është kriminalizuar edhe mosraportimi, raportimi i rrejshëm i pasurisë apo të ardhurave.
Masa të tjera për të luftuar korrupsionit janë ndërmarrë edhe në kuadër të Kodit të Procedurës Penale: Kemi përmirësuar mundësinë e hetimit të krimeve të komplikuara; kemi përmirësuar mundësinë dhe ligjshmërinë e marrjes së dëshmive të dëshmitarëve, veçanërisht të atyre që mund të pritet se do të mungojnë gjatë gjykimit kryesor (për shembull pritet të vdesin); Kemi mundësuar një proces për të identifikuar, bllokuar dhe konfiskuar të mirat materiale- dobitë pasurore nga vepra penale; Kemi përmirësuar mundësinë e marrjes së dëshmive financiare dhe prezantimit të tyre para gjykatës; Kemi bërë disa ndryshime në procedurën e pranimit të fajësisë e cila i shtynë, i inkurajon dëshmitarët bashkëpunues etj.
Në fund, sa i përket kësaj lufte, jemi në përfundim të Draftit të Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së fituar përmes veprës penale. Drafti aktual është dërguar për komente tek EULEX-i dhe menjëherë pas komenteve të tyre do ta përfundojmë draftin dhe do të miratohet në Qeveri. Vlen të ceket se ky draft aktual ka disa ndryshime nga drafti i kaluar në atë se përmban Konfiskimin e Zgjeruar për vepra penale të rëndësisë së lartë, siç janë krimi i organizuar e korrupsioni, e cila ndanë barrën e provës ndërmjet prokurorit dhe të akuzuarit, por vetëm kur ai është i akuzuar për këto vepra specifike.

Tani që Ministria e Drejtësisë po punon në amandamentimin e pakos së ligjeve mbi Gjyqësorin dhe Prokurorinë, njëra nga ndryshimet më të mëdha e e cila lidhet me luftën kundër korrupsionin është krijimi i Dhomës së Veçantë në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila do t’i gjykojnë të gjitha rastet të cilat janë kompetencë për ndjekje nga Prokuroria Speciale. Prandaj, Ne kuadër te Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës, do të forcohen departamenti për krim te organizuar dhe departamenti kundër korrupsionit (Task Forca) për te hetuar dhe ndjekur veprat penale me komplekse. Kjo do të mundësojë që të ngritët kualiteti i hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve por gjithashtu që këto raste do të trajtohen më me efikasitet dhe profesionalizëm.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim është zgjerimi i kompetencave të “Task Forcë Kundër Korrupsionit” në kuadër të departamentit kundër korrupsionit të PSRK, të thirrur dhe mbështetur me vendimit të Qeverisë. Kompetencat e saj do zgjerohet në mënyrë që të rritet numri i prokurorëve dhe hetuesve në këtë Task Forcë, stafit mbështetës, por gjithashtu që ajo të jetë e angazhuar edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe jo vetëm korrupsionit. [Për këto dy ndryshime, ju lutem referojuni dokumentit të ndarë që iu është shpërndarë]
Ne do të adresojmë rastet e mbetura në gjykata duke themeluar një task forcë/trup të veçantë i cili do të punonte vetëm në rastet e regjistruara para viti 2009/2010. Në lidhje me këtë, shumë gjyqtarë të cilët janë në prag të pensionimit do të angazhoheshin për të punuar vetëm në këto raste. Për më tepër, këta gjyqtarë dhe të tjerët do të duhej të paguheshin më tepër për të punuar edhe të Shtunave dhe për punë jashtë orarit për të mbërritur kështu kuotën e caktuar për ta drejt përfundimit të të gjitha lëndëve para viti 209/2010. Qeveria është e gatshme që të ndajë fonde shtesë për të mbështetur këtë dhe gjithashtu do të kërkojë për mbështetje shtesë buxhetore nga burime të tjera ndërkombëtare. Tjetër reformë që do të ndihmojë shumë drejtë kësaj është tashmë funksionalizimi i noterisë, ndërmjetësimit dhe arbitrazhit, të cilët do të heqin shumë raste nga Gjykatat.

Në kuadër të ndryshimeve për Gjyqësorin, në gjithashtu po e formësojmë idenë për krijimin e trupave të veçantë Brenda gjykatave për t’i dhënë prioritet rasteve të cilat përfshijnë investimet apo investitorët e huaj. Kjo do të ndihmonte shumë në sigurinë juridike të investimeve të huaja, sidomos në atë që investitorët t’i zgjidhin rastet e tyre në afat sa më të shpejtë kohor, në vend që të presin me vite së bashku me rastet tjera civile. Ne kemi filluar aktivitetet drejt finalizimit të Kodit Civil të Kosovës, i cili është tejet i nevojshëm për praktikuesit e drejtësisë.

Gjyqësori dhe Prokuroria kanë nevojë për një mekanizëm më të mirë për mbledhjen e të dhënave për të rritur efikasitetin dhe të informojë publikun mbi punën e mirë që bën gjyqësori dhe prokuroria, duke përfshirë këtu rastet me interesim të madh në publik, si rastet e korrupsionit, për ta ndryshuar perceptimin negativ mbi gjyqësorin dhe për të mundësuar kështu një mekanizëm shtesë të mbikëqyrjes. Për me tepër, gjyqësori gjithashtu do te duhej t’i publikojë të gjitha aktgjykimet. Natyrisht, duhen të mbrohen të dhënat personale të personave të përfshirë siç parashihet me ligj; megjithatë, kjo do të ndihmonte shumë në perceptimin e publikut mbi sektorin e drejtësisë. Në këtë drejtim, jemi duke bashkëpunuar me partnerët tanë Evropianë për të zbatuar një sistem të tillë të mbledhjes së të dhënave.
Një reformë tjetër e cila po ndodhë tani ka të bëjë me procedurën e përmbarimit. Ligji i ri mbi këtë i cili do të miratohet shpejtë do të sjellë risinë e përmbaruesve privatë si mënyrë alternative që mund të përdoret nga qytetarët, veçanërisht bizneset, në mënyrë që të kryhet procedura e përmbarimit në mënyrë sa më efikase.

Flet-arrestet Ndërkombëtare: Qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me shumë probleme gjatë udhëtimeve të tyre ndërkombëtare, duke u ballafaquar me kufizime të lirisë së tyre të lëvizjes, për shkak të flet-arresteve ndërkombëtare të lëshuara përmes INTERPOL-it nga gjykatat në Serbi. Këtu gjithashtu përfshihen qytetarë të cilët janë gjykuar për të njëjtat vepra në Kosovë dhe në Tribunalin e Hagës.

Edhe përkundër vullnetit dhe përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të luajtur një rol të rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit transnacional dhe për të dhënë kontributin e saj në këtë fushë jashtëzakonisht të ndjeshme, fatkeqësisht për arsye politike, (Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, dhe nuk i lejohet për të marr pjese aktive në organizata dhe mekanizma rajonale për të shkëmbyer informata, përvoja për luftimit e krimit transanional) shtete të caktuara të rajonit por edhe të bashkimit evropian nuk janë duke i ofruar mbështetje sistemit të drejtësisë në Kosovë, përkundrazi janë duke ndikuar negativisht përmes veprimeve apo mosveprimeve te tyre.

Kosova për të përçuar mesazh te qarte se është e gatshme dhe e interesuar për të marr pjese aktive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit me elemente ndërkombëtare, për të fituar besimin e Kosovës karshi shteteve të BE-se dhe vendeve fqinje dhe me qellim të adresimit të kësaj çështje ne pajtim me standardet dhe praktikat më të mira të bashkimit evropian, konventat dhe protokollet shtesë të Këshillit të Evropës që mbulojnë fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale, në vitin 2011, Kosova ka miratuar ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Mungesa e ofrimit të bashkëpunimit reciprok të bazuar në parime dhe vlera të barabarta në mes të prokurorive dhe gjykatave në Kosovë me prokuroritë dhe gjykatat e shteteve tjera, është duke luajtur një rol negativ në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e të gjithë atyre që kanë kryer krime në Kosove apo jashtë saj dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova karshi komunitetit ndërkombëtar.

Kushtetuta jonë ndalon ekstradimin e qytetarëve tanë, përveç nëse ka një marrëveshje të vlefshme me atë vend me te cilin lejohet ekstradimi. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, është duke mbajtur një qëndrim mjaft liberal duke ofruar nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale me pothuajse të gjitha shtetet e BE-së, shtetet e rajonit apo me shtete me të cilat ka interes për të luftuar kriminalitetin me sukses. Deri më tani Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje me shumë shtete.

Në mungese të bazës ligjore dhe marrëveshjeve bilaterale, Kosova nuk është në pozitë as që të ekstradojë qytetarët e saj e as nuk mund t’i ndjekë dhe t’i gjykojë ata për shkak të mungesës së provave të cilat, në fakt, do të duhej t’i dorëzoheshin autoriteteve Kosovare, qoftë Prokurorisë Speciale apo prokurorive tjera kompetente. Ne këtë drejtim, ne presim një mbështetje më të fuqishme dhe një avokim të mëtejshëm në arritjen e më shumë marrëveshjeve për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale apo të motivohen Prokuroritë tjera rreth shkëmbimit të provave dhe/apo të transferojnë procedurat tek Prokuroritë apo Gjykatat vendore.

Një risi tjetër në fushën e drejtësisë ka të bëjë me çështjen e Amnistisë. Instituti i Amnistisë deri tani nuk ka ekzistuar në Kosovë, dhe pas kërkesave të shumta drejtuar Ministrisë së Drejtësisë nga opinioni publik, kemi vendosur që të udhëheqim këtë proces për fillimin e prurjes së ligjit mbi Amnistinë dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme edhe Kushtetuese për të mundësuar funksionimin e tij.

Para se të kaloj tek temat tjera, më lejoni që të përmend se Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë ka disa muaj që ka hapur kapituj e Drejtësisë Tranzicionale. Mbi këtë, pasi që kemi organizuar një sërë punëtorish të brendshme bashkë me ICO-në dhe një Konference Publike mbi Maknizmat e Kërkimit të së vërtetës, tani Qeveria jonë është në finalizimin e themelimit të një Grupi Punues për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin. Ky grup punues i cili do të themelohet me një vendim të Qeverisë shumë shpejtë, do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrive të interesuara, shoqëria civile, organizatat e luftës, familje të dëshmorëve etj, dhe misioni i tyre do të jetë që të përpilojnë Strategjinë Kombëtarë për Ballafaqim me të Kaluarën, duke përfshirë këtu kërkimin e së vërtetës, riparimin e dëmeve të luftës, drejtësinë penale dhe pajtimin.

Pas këtyre pikave dhe risive që i diskutuam, ne do të donim të kuptonim më mirë se cilat sfera të tjera mbesin gjithashtu më brengosëse për BE-në në lidhje me Kosovën dhe, më saktësisht, ku bën pjesë Dialogu i Strukturuar në kuadër të Procesit të Integrimit Evropian për Kosovën si dhe deri në çfarë mase do të përshtatet kjo me Procesin e Stabilizim-Asocimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar aktivisht dhe ka bërë përparim të dukshëm në përmirësimin e sundimit të ligjit në vendin tonë. Ne jemi të brengosur për diçka që duket si edhe një mekanizëm më shumë, ky dialog i strukturuar për t’u angazhuar drejt sundimit të ligjit, ngase ka potencial për ta zbehur qartësinë e qëllimit, t’i pamundësojë aktivitetet e koordinimit, dhe të krijojë tepricë e cila nënvlerëson punën tonë. Si pikë fillimi, ne rekomandojmë fuqishëm që të përdoren mekanizmat ekzistues për të fuqizuar sundimin e ligjit, duke bërë ndryshime të vogla nëse ka nevojë. Kjo të na kursente neve shume kohë dhe para, duke siguruar në të njëjtën kohë një rezultat më të mirë.

Qeveria jonë po finalizon pyetësorin e Studimit të Fizibilitetit dhe besoj që shumë shpejtë do të shihni që jemi në nivel me qëllimet tona të Integrimit Evropian.

Sa i përket Misionit të EULEX-it në Kosovë, z. De Marnhnac ka dhënë një kontribut pozitiv në përmirësimin e dialogut me Qeverinë e Kosovës.

Unë mirëpres diskutimin e mendimeve tona lidhur me Tranzicionin e EULEX-it gjatë sesionit për Rishikimin Strategjik të EULEX-it.

Veriu/Zyra Administrative në Veri të Mitrovicës: Ne kemi krijuar një strukturë për të përmirësuar marrëdhëniet tona me qytetarët tanë në veri. Qeveria jonë do të vazhdojë të kërkojë masa të tjera për të ndërtuar besimin dhe të shohë mundësi konstruktive për t’i përfshirë komunat në veri. Sa i përket Veriut, udhëhiqemi nga dy parime themelore të cilat do të sillnin stabilitet: respektimi i ligjit të aplikueshëm, i hierarkisë institucionale.

“Arrestimet sy-për-sy, dhëmb-për-dhëmb”: Ne mund t’i diskutojmë vetëm arrestimet e bëra nga Qeveria e Kosovës, të cilat bazohen në ligj, dhe jo aktet politike.

RESTRUKTURIMI/TRANZICIONI I EULEX

Ne kemi filluar idenë e fillimit të tranzicionit të EULEX-it qysh në verën e kaluar, dhe si rezultat i kësaj kemi mbajtur takimin në tetor ku e kemi prezantuar planin tonë për tranzicion. Siç mund të shihni në dokumentin e ndarë sot, të ripërtërirë me disa elemente shtesë, plani përmban hapa konkretë dhe fazat kohore kur ky tranzicion do të kryhej. Fatkeqësisht, ne nuk kemi marrë ndonjë koment në lidhje me propozimin tonë.

Ne kemi kuptuar se EULEX ka filluar procesin e tij të ristrukturimit dhe ne e mirëpresim mundësinë për të diskutuar këtë proces me ju, për t’u siguruar se ky do të jetë një proces konstruktiv dhe i përbashkët. Prandaj, ne presim që të shohim më shumë bashkëpunim për të pasur rezultate dhe ide të përbashkëta se si ky tranzicion do të bëhej.

Si në takimet e mëparshme, është pozicioni i Qeverisë së Kosovës se BE nuk do të ketë një pikë të përfundimit bazuar në rezultate nëse nuk ka kufizime kohore për të arritur këto qëllime. Ne mbajmë qëndrimin se plani i tranzicionit pa kufizime kohore do të ishte shumë më jo-efikas dhe më i papërcaktueshëm. Për më tepër, kjo do të krijonte dykuptimësi në vlerësimin nëse qëllimet janë arritur.

Më me rëndësi, ne mbajmë qëndrimin se tranzicioni duhet të fokusohet në transferimin e kompetencave, sesa të bazohet në indikatorë të reduktimeve të numrit të stafit apo përfshirjes gjeografike.

Qeveria e Kosovës, së bashku me ICO-në, është në proces të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Ne duam të sigurohemi se misioni i EULEX-it do të vazhdojë punën pas shtatorit dhe këtu prezantojmë një marrëveshje për ta mundësuar këtë.

Presidentja Jahjaga dhe Qeveria e Kosovës janë pajtuar që të ndërmarrin një shkëmbim letrash, të cilat pas ratifikimit nga Kuvendi do të bëhen marrëveshje ndërkombëtare, që të sigurohet autoriteti i vazhdueshëm i EULEX në Kosovë pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, këtë shtator.

Nuk ka interesim (apetit) për nja amendamentim Kushtetues dhe nuk ka dëshirë politike për të miratuar një amendament të tillë.

“Klauzola e perëndimit” (Sunset Clauses)nuk janë tipike për një kushtetutë dhe shkojnë kundër konceptit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Kosova kërkon të modernizojë dhe normalizojë kornizën e saj ligjore; një amandamentim i tillë do ta nxjerre atë nga kjo rrugë.

Në vazhdim të kësaj, afatet kohor të pa-definuar dhe të hapura pamundësojnë punën e institucioneve tona demokratike drejt ushtrimit të funksioneve të tyre në mënyrë të pavarur dhe progresive.

Ky shkëmbim letrash do të specifikonte kompetencat e EULEX-it dhe do të garantojë operimin e vazhdueshëm gjatë përfundimit të mandatit tuaj dhe do të adresojë më mirë aspektet teknike të punës së vazhdueshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit.

Është e rëndësime të përmendet se përderisa pakoja e ligjeve mbi gjyqësorin dhe Prokurorinë po amendamentohet, ne do të bëjmë edhe shumë ndryshime tjera të cilat përfshijnë transferimin e kompetencave nga Gjyqtarët dhe Prokurorët e EULEX tek ata vendorë. Ndonëse këto dispozita nuk janë draftuar ende, ideja jonë është që tek “Dispozitat Përfundimtare” do të futen dispozita të cilat do të lejojnë transferimin e kompetencave pas një kohe të përcaktuar. Ajo që vlen të përmendet si shembull është që si ndryshim të parë parashohim që Prokuroria Speciale si fillim të bashkë-kryesohet nga një prokuror ndërkombëtar dhe një vendor. Në rast mospajtimi mes tyre mbi ndonjë çështje ligjore apo organizative, konflikti do të zgjidhej nga Kryeprokurori i Kosovës.

Të vetmet përjashtime në këtë do të jenë gjykimi i krimeve të luftës dhe potencialisht edhe çështjet e lidhura me Veriun.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, qëndrimi ynë është që mandati i EULEX (përveç këtyre dy përjashtimeve të lartcekura) duhet të përfundojë në vitin 2014.

Me respekt,
Prof. Dr. Hajredin Kuçi,
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë
DRAFT
Strategjia për kalimin e përgjegjësive të EULEX-it në institucionet e Qeverisë së Kosovës

I. Hyrje
Qëllimi i këtij plani është mundësimi i një transferimi gradual të kompetencave (Përgjegjësive) të organeve të EULEX-it në institucionet Qeverisë së Kosovës (QK), në të gjitha fazat, në pajtueshmëri me praktikat dhe standardet e BE-së. EULEX filloi aktivitetet në Republikën e Kosovës në pajtim me Veprimin e Përbashkët të Këshillit 2008/124 si një mision teknik për sundim të ligjit në Kosovë. Një theks i veçantë është bërë lidhur me kontributin e çmuar dhe suksesin e EULEX-it në përmbushjen e mandatit të tij në komponentën e Drejtësisë, Policisë dhe Doganave, si dhe kontributet në ndërtimin e një shteti shumetnik dhe vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Në vitet e fundit, dhe në masë të madhe në saje të punës së EULEX-it, Qeveria e Kosovës: (a) ka ngritur kapacitetet dhe efikasitetin e Policisë së Kosovës, Gjykatave të Kosovës dhe Prokurorëve Shtetëror dhe (b) ka ngritur nivelin e efikasitetit të administratës publike dhe politikave të Ministrisë së Drejtësisë. Me një progres të tillë, tranzicioni nga përfshirja e madhe e EULEX-it në Kosovë është bërë perspektivë reale.
II. Fazat e transferimit
Për të siguruar një tranzicion të lehtë, duke përfunduar me largimin e EULEX-it nga Kosova, transferimi i kompetencave duhet të realizohet në faza të vazhdueshme dhe progresive. Përmbushja e aktiviteteve në kuadër të një faze është e kushtëzuar nga përmbushja e aktiviteteve të ndërlidhura në një fazë të mëhershme, vetëm nëse përcaktohet ndryshe nga Këshilli Mbikëqyrës (shiko Seksionin IV). Afatet e përgjithshme kohore për secilën fazë janë si në vijim:
A. Faza e parë: 1 korrik 2012 – 1 mars 2013
B. Faza e dytë: 1 mars 2012 – 30 shtator 2013
C. Faza e tretë: 1 tetor 2012 – 15 qershor 2013
Gjatë fazave të lartpërmendura, si EULEX-i ashtu edhe Qeveria e Kosovës do të punojnë në bashkëpunim dhe mirëbesim drejt tranzicionit të plotë të Misionit të EULEX-it në Kosovë. EULEX-i dhe Qeveria njohin faktin se Qeveria do të vazhdoj punën në ngritjen e kapaciteteve përmes asistencës së menaxhuar nga Qendra për Koordinim të Donatorëve për Kosovën, kryesisht përmes asistencës bilaterale dhe punës së organizatave jo-qeveritare.
Pritjet kryesore janë, që përmes këtij plani, EULEX-i gradualisht të minimizoj pjesëmarrjen në institucione të ndryshme dhe të zhvishet nga funksionet ekzekutive, përgjegjësive korrektuese, dhe rolit në drejtësi, polici, dogana dhe funksione monitoruese. Të gjitha pozitat menaxhuese dhe udhëheqëse të EULEX-it duhet të transferohen në pozita të mentorimit dhe këshillimit.
III. Strategjia për veriun dhe Krimet e Luftës
Edhe pse nuk është specifikuar se EULEX-i ka përgjegjësi ekzekutive në menaxhimin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, kjo fuqi i është ngarkuar EULEX-it si pasoj e situatës në këtë pjesë. EULEX-i dhe Qeveria janë të vetëdijshëm se ka pasur pengesa të mëdha në vendosjen e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Në veçanti organizatat ilegale paralele serbe paraqesin pengesa të mëdha ndaj çdo përpjekje për të shtrirë/fuqizuar mandatin e Policisë së Kosovë, Gjykatave dhe institucioneve tjera qeveritare në këtë pjesë.
EULEX-i dhe Qeveria pajtohen se një dokument i veçantë do të përgatitet për të adresuar çështjet e sundimit të ligjit në veri. Plani për veriun do të adresohet paralelisht me këtë plan. Me qëllim të kalimit të kompetencave nga EULEX-i në Qeverinë e Kosovës, EULEX-i brenda gjashtë muajve do të ndërmarrë veprime për funksionalizimin e pranisë së Policisë së Kosovës, Sektorit të Drejtësisë dhe Doganave në veri të Kosovës, që do të jetë në përputhje me operacione të tilla përgjatë tërë pjesës tjetër të Kosovës.
Përveç kësaj, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës njohin natyrën e veçantë dhe ndjeshmërinë që paraqet ndjekja e krimeve të luftës dhe çështja e gjykatave në Veri të Kosovës. Gjithashtu, pajtohen se kalimi i rasteve të krimeve të luftës Qeverisë së Kosovës dhe hapja e gjykatave në Veri të Kosovës do të adresohet në një mënyrë të veçantë, por paralelisht më aktivitetet e përshkruara në këtë plan.
Me propozimin e tanishëm, Qeveria e Kosovës mbanë qëndrimin se ndonëse do të jepet kohë shtesë për mandatin ekzekutiv të EULEX-it rreth çështjeve të veriut dhe gjykimit të krimeve të luftës, kompetencat e EULEX-it edhe për këto dy fusha duhet të pushojnë jo më vonë më 31 dhjetor 2015.

IV. Këshilli Mbikëqyrës
Me qëllim të monitorimit të progresit në këtë plan të tranzicionit, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës do të formojë një Këshill Mbikëqyrës për Planin e Tranzicionit (Këshilli Mbikëqyrës). Këshilli Mbikëqyrës do të përbëhet nga dy përfaqësues të EULEX-it, dy përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, një përfaqësues nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, një përfaqësues nga Qeveria e Kosovës/Ministria e Integrimit Evropian dhe një përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Qendra për Koordinim të Donatorëve për Kosovën.
Këshilli Mbikëqyrës takohet [p.sh. para përfundimit të secilës fazë, në baza tre mujore, dhe jo më shpesh se çdo dy muaj, etj.] për të vlerësuar progresin e arritur në kalimin e përgjegjësive. Këshilli Mbikëqyrës bënë rekomandime lidhur me aktivitet që janë prapa planifikimit, përndryshe nuk janë bashkërenduar me qëllimin e tërësishëm të transferimit të përgjegjësive nga EULEX-i në Qeverinë e Kosovës.
[Vërejtje: paragrafi më lartë është thjeshtë një rekomandim për të strukturuar një këshill mbikëqyrës. Përbërja, qëllimi dhe procedurat duhet të shqyrtohen me kujdes para dorëzimit të draftit përfundimtar. Gjithashtu, të konsiderohet formimi i një “Ekipi të tranzicionit” i EULEX-it dhe personelit të Policisë së Kosovës. Ky “ekip” do të punonte nën drejtimin e Këshillit Mbikëqyrës dhe të kryej punën “elementare”. Me përfundimin e transferimit, PK-ja do të ketë një grup planifikues më përvojë të theksueshme dhe njohuri të tranzicionit (dhe të dhëna të asaj që është bërë) që mund të shfrytëzohet për projekte të tjera].
Lista fillestare e aktiviteteve të planifikuara për kalimin e kompetencave të EULEX-it tek Institucionet e Qeverisë së Kosovës, përfshijnë aktivitetet në vijim:
Fusha Aktiviteti

POLICIA E KOSOVËS Caktimi i dy zyrtarëve monitorues të EULEX-it në Drejtoritë Rajonale të Policisë (DRP), përveç DRP-së në Mitrovicë për të cilën numri i zyrtarëve monitorues caktohet në bazë të strategjisë së veçantë.
Të reduktohet pjesëmarrja e EULEX-it në një zyrtar monitorues në Departamentin e Personelit.
Shtimi i rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb deri në 5%, duke përdorur një standard i cili do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.
Të shtohet prania e Policisë së Kosovës në komunitetet deri në 5%, duke përdorur një standard i cili do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.
Të zhvendoset prania e monitoruesve të EULEX-it në stacionet dhe nën-stacionet e policisë, përveç në stacionet e policisë në Mitrovicë, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këto stacionet numri i pjesëtarëve të EULEX-it duhet të jetë i mjaftueshëm për përmbushjen e suksesshme të misionit monitorues, mentorues dhe këshillues (MMK). Shkurtimet do të bëhen në proporcion me shkurtimet e përgjithshme në misionin e EULEX-it.
EULEX-it do të reduktoj misionin në DRP-të dhe do t’i jap prioritet ofrimit të ekspertizës policore, me faktin se vendet kontribuuese posedojnë ekspertë që mund të adresojnë zhvillimin e çështjeve dhe zgjidhjeve në Kosovë, të tilla si policimi në komunitet. Gjithashtu, EULEX-i mund të ofroj trajnime të specializuara shumë të vlefshme në shumë fusha të zbatimit të ligjit.
Operacionet e EULEX-it në shtyllën e policisë kufitare do të kufizohen në monitorim dhe ndërlidhje pa mandat ekzekutiv, përveç në rastet kur nuk ka komunikim të drejtpërdrejt ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës dhe Policisë Kufitarë të vendit fqinjë. Operacionet e Shtyllës Kufitare të EULEX-it do të mbajnë fuqi ekzekutive në pikat kufitare ku nuk ka komunikim të drejtpërdrejt ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës, deri në kohën kur Këshilli Mbikëqyrës përcakton se ekziston komunikim i drejtpërdrejtë ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës dhe Policisë Kufitare të vendit fqinjë ose përndryshe është e arsyeshme për shtyllën kufitare të EULEX-it të tërhiqet.
Operacionet e Shtyllës Kufitare të EULEX-it do të përbëhen nga një numër i kufizuar i zyrtarëve të EULEX-it me ekspertizë funksionale dhe përgjegjësi të qarta gjeografike (bazuar në ndarjen e përgjegjësive të rajoneve të Policisë Kufitare). Përgjegjësitë e EULEX-it që përfshijnë raportim periodik për qëllime të përmbushjes së kërkesave të BE-së.
Të eliminohen përgjegjësit ekzekutive të policisë së EULEX-it në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Ministria e Drejtësisë do të mbajë marrëdhëniet me INTERPOL-in përmes ndërlidhjes me UNMIK-un.
EULEX do të eliminoj përgjegjësitë ekzekutive dhe vendos MMK-në në nivel të drejtorive, me personel që kanë ekspertizë dhe përvojë në fushën përkatëse. Aktivitetet e MMK-së do të fokusohen në veçanti në krimet kibernetike, mbrojtjen e dëshmitarëve, dhe krimet financiare.

MINISTRIA E DREJTËSISË Të ndryshohet neni 8 i Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, për të siguruar se personeli i EULEX-it vepron vetëm në kapacitet këshillëdhënës ose ekspertëve në trajnimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të stafit vendor në përgjithësi, dhe në veçanti për Departamentin e Mjekësisë Ligjore.
Të ndryshohet neni 8.3 i Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore për të zëvendësuar termin ‘bashkë-kryesues nga EULEX-i’ me termin ‘Zëvendës Drejtor’ në fazën e parë, dhe pastaj të ulet pozita, dhe më vonë eventualisht të vendoset në nivel të rolit këshillues në vend të rolit vendimmarrës.
Të rishikohet Plani i Përbashkët i Veprimit të Shërbimit Korrektues për të siguruar bashkëpunimin e ndërsjellë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Njësisë Korrektuese të EULEX-it dhe të minimizohet roli i EULEX-it në shërbimet korrektuese.
Të reduktohen kompetencat e MMK-së dhe bazat për qasje të EULEX-it në zyrat për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe dosjet e rasteve të caktuara si rrjedhojë.

PSRK Të ndryshohet neni 16, pika 3 e Ligjit për Prokurorinë Speciale, i cili përcakton se PSRK udhëhiqet nga një Prokuror Special.
Kjo duhet të ndryshohet për të përcaktuar se Kryeprokurori i PSRK do të jetë prokurorë vendor. në lidhje me këtë, shtrohet nevoja për ndryshmin e pikës 4 të këtij neni në mënyrë që Zëvendës i Kryeprokurorit do të jetë Prokurori i EULEX-it.
Ndryshime të tjera në nenin 16 të këtij ligji duhet të bëhen gjatë fazës së dytë, në mënyrë që të zvogëlohet numri i prokurorëve të EULEX-it në PSRK deri në 2 ose 3.

Gjithashtu, është shumë me rëndësi të rishikohen pjesë të tjera të nenit 16, që kërkon se të gjitha informatat rreth rasteve të PSRK-së duhet t’i dorëzohen prokurorit të EULEX-it.
Po ashtu, është e nevojshme të rishikohet neni 1.1, 4.2 dhe 15.6 të Ligjit për Prokurorinë Speciale, në bazë të së cilës vepron dhe ushtron juridiksionin Task Forca Kundër Korrupsionit.

GJYKATAT Të eliminohen referencat ligjore për përgjegjësi të caktuara lidhur me Kryesuesin e Komponentës së Drejtësisë të EULEX-it (për ndryshimin e vendit të procedurave) ose ndryshimi i ligjeve të tilla në mënyrë që përgjegjësitë t’i kalohen Presidentit të Këshillit Gjyqësor.
Të ndryshohet Ligji mbi Kompetencat, Përzgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të EULEX-it në Kosovë. Nga EULEX-i duhet të kërkohet të ndryshoj Udhëzimet për Monitorimin, Mentorimin dhe Këshillimin nga gjyqtarët e EULEX-it, të nxjerr nga Asambleja e Gjyqtarëve të EULEX-it.
Të ndryshohet Ligji për Gjykatat që do të përcaktonte se në rastet civile juridiksioni i EULEX-it do t’i caktohet gjyqtarëve të EULEX-it nga ana e Kryetari e Këshillit Gjyqësor, në bashkëpunim ose konsultim më Kryesuesin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it dhe se Kryetari e Këshillit Gjyqësor do të përcaktojë detyra për Prokurorët e EULEX-it në rastet civile.
Të reduktohet përgjegjësia dhe prania e stafit të EULEX-it, kryesisht zyrtarëve dhe këshilltarëve ligjor, në këto njësi: Zyrën e Komisioneve Disiplinore, Zyrën e Prokurorit Disiplinor, Njësisë për Auditim Gjyqësor, dhe Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor.
Të reduktohet përgjegjësia dhe prania e stafit të EULEX-it, kryesisht zyrtarëve dhe këshilltarëve ligjor, në këto njësi: Zyrën e Komisioneve Disiplinore, Zyrën e Prokurorit Disiplinor, Njësisë për Auditim Gjyqësor, dhe Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor.

DO GANAT Edhe EULEX por edhe raporte të tjera ndërkombëtare kanë raportuar për progres të dalluar në fushën e Doganave si dhe aftësinë e tyre tashmë për të funksionuar si të pavarura. Në fillim, EULEX ka funksionuar me 65 zyrtarë në fushën e Doganave. Pas fillimit të transferimit të kompetencave, është vlerësuar se të gjitha departament do të mund të funksionojnë si të pavarura, ndërkaq Këshillimi, Monitorimi dhe Ndihma do të jetë e dobishme për Departamentin e Zbatimit të Ligjit si dhe Departamentin e Hetimeve dhe Anti-Kontrabandës. Prandaj, këto janë aktivitetet që planifikohen të ndërmerren gjatë fazës së parë:

Caktimi i dy zyrtarëve monitorues të EULEX-it për Menaxhimin e Integruar te Kufirit ( IBM ) për gjithë vendkalimet doganore të Kosovës.

Në Departamentin e Hetimeve dhe Anti-kontrabandës të caktohet një zyrtar i EULEX-it ne rolin e monitoruesit, këshilluesit dhe ndihmësit të stafit vendor.

Në Departamentin e Hetimeve dhe Anti-kontrabandës, pjesa operative, dy ekipe me tre zyrtar të EULEX-it në rolin monitorues, këshillues dhe ndihmës sipas kërkesës dhe nevojave të stafit vendor.

Siç është theksuar, lista e mësipërme përfshin aktivitete esenciale që duhet të ndërmerren në mënyrë që të kryhet tranzicionit. Aktivitete të tjera mund t’i shtohen listës në koordinim me EULEX-in dhe Qeverinë e Kosovës. Me arritjen e pajtimit për listën finale të aktiviteteve, do të vendoset një kolonë e veçantë për indikatorët e përmbushjes, që do të ndihmoj Këshillin Mbikëqyrës në punën e tij drejt përmbushjes së suksesshme të planit.

Me respekt,
Prof. Dr. Hajredin Kuçi,
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë

DRAFT

Propozim për struktura të reja në luftën kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar

Përmbledhje
Dokumenti në vijim shtjellon bazën e njërës nga idetë për të ashpërsuar, përmirësuar dhe organizuar më tej luftën e shtetit të Republikës së Kosovës kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe korrupsionit në veçanti.
Dokumenti përmban dy pika kryesore: zgjerimin e kompetencave të Departamentit Special Antikorrupsion, të ashtuquajturës “Task forca Antikorrupsion”; dhe pjesa e dytë shpjegon idenë për krijimin së Dhomës së Veçantë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Këtu është përshkruar vetëm ideja bazë dhe vizioni për këto dy risi që parashihen në të ardhmen e afërt, ndërkaq mënyra dhe shkrimi ligjor do të reflektohen në ligjet përkatëse që po amendamentohen, e qe janë Ligji për Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Ligji për Gjykatat e Rregullta.
1. Zgjerimi i kompetencave të Departamentit Special Antikorrupsion

Me vendimin e datës 26.02.2010, nr. 02/110, Qeveria ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të formojë një Departament Special në kuadër të saj me qëllim specifik luftimin e korrupsionit. Pas krijimit të saj, janë bërë një sërë investimesh në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe këtij departamenti për fuqizimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të saj për të luftuar korrupsionin, si një nevojë e jashtëzakonshme e kohës kur u krijua.
Ndërkaq, sot ndjehet një nevojë gjithashtu e tepërt për një trup të specializuar i cili do të luftojë krimin e organizuar në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe korrupsionin që shpesh merr këtë formë.
Duke synuar gjithnjë që të eliminojmë duplifikimet e mundshme në sistemin tonë, dhe duke synuar gjithashtu që të investohet më tepër në forcimin e institucioneve që tashmë i kemi kundrejt krimit të trupave të ri, ka lindur ideja që të zgjerohen kompetencat dhe përbërja e Task forcës Antikorrupsion. Kompetencat do të zgjerohen në atë mënyrë që kjo Task Forcë të hulumtojë dhe ndjekë edhe krimet e tjera të organizuara, duke përfshirë këtu shpëlarjen e parave, trafikimin me qenie njerëzore, terrorizmin etj.
Për të bërë këtë të mundur, Task Forca do të duhet të zgjerojë përbërjen e saj, gjegjësisht të rrisë numrin e prokurorëve për së paku tre prokurorë dhe hetues të tjerë nga Policia sipas nevojës.
Menjëherë pas formimit të saj, Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare, logjistike dhe trajnuese për të siguruar profesionalizimin e mëtejshëm të pjesëtarëve të kësaj Task Force.

2. Themelimi i Dhomës së Veçantë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në vazhdimësi të strukturimit të mëtejshëm të trupave për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është ndjerë nevoja e krijimit të një trupe gjyqësore e cila do të ishte e specializuar për t’i gjykuar rastet e ndërlikuara të krimit të organizuar dhe korrupsionit e të cilat ndiqen nga Prokuroria Speciale. Kjo vjen gjithashtu si rezultat i nevojës për balancimin e ekspertizës që del nga Prokuroria Speciale, Task Forcës kundër korrupsionit, në njërën anë dhe gjyqtarëve të cilët i gjykojnë këto raste të profilit të lartë dhe me rëndësi esenciale për shoqërinë në anën tjetër.
Më konkretisht, ideja është që të pasqyrohet modeli i Prokurorisë Speciale në gjyqësor. Duke marrë parasysh që Ligji për Gjykatat, për përbërjen që parashihet të hyjë në fuqi në janar 2013 parasheh Departamentet për krimet serioze në kuadër të gjykatave themelore dhe atë të Apelit, mund të konsiderohet që në këto nivele ekziston një ekuivalencë e gjyqtarëve të specializuar për raste të tilla të seriozitetit të lartë. Megjithatë, është ngritur nevoja për të pasur edhe gjyqtarë të specializuar për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të cilat ndiqen ekskluzivisht nga Prokuroria Speciale, pranë gjykatës themelore në Prishtinë.
Gjyqtarët të cilët do të shpërbenin në këtë Dhomë do të kalojnë nëpër trajnime më specifike për vepra penale që janë kompetencë e Prokurorisë Speciale, si dhe mënyra më të veçanta të testimit të aftësive të tyre.
Duke punuar kështu së bashku në përforcimin e Departamentit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion brenda PSRK, dhe duke e themeluar këtë dhomë të veçantë e cila do të gjykojë këto raste do të mundësohet:
1. Që të ngritët kualiteti i ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të këtilla të rëndësisë së lartë për sundim të ligjit dhe për publikun;
2. Që këto raste me rëndësi të trajtohen me prioritet, të gjykohen më me efikasitet dhe profesionalizëm.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës do të angazhohet që për këtë dhomë të gjyqtarëve të mundësojë benefite shtesë, trajnimet e duhura dhe mbështetjen tjetër të nevojshme të çfarëdo natyre për të mundësuar mbarëvajtjen e gjykimeve në mënyrën më profesionale të mundshme.

Me respekt,
Prof. Dr. Hajredin Kuçi,
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *