Beteja e Koshares ishte pjesë e rëndësishme e operacionit sulmues për çlirimin përfundimtar të Kosovës

Beteja e Koshares ishte pjesë e rëndësishme e operacionit sulmues për çlirimin përfundimtar të Kosovës

Beteja e Koshares ishte pjesë e rëndësishme e operacionit sulmues për çlirimin përfundimtar të Kosovës

Prishtinë, 11 prill 2012

Akademia përkujtimore “Ditët e shqipes” në 13 vjetorin e betejës së Koshares dhe përvjetorit të rënies së heroit Agim Ramadani, u mbajt, nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Koshares “Brigada 138”, në hotelin Emerald, në Prishtinë.

Në Akademinë merrnin pjesë; ish-luftëtarë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, zëvendësministra, ministra, komandanti i FSK-së, ushtarë dhe qindra qytetarë.

Në emër të Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, fjalën kryesore e mbajti ministri i FSK-së Agim Çeku i cili shprehu mirënjohjen dhe respektin institucional e shtetëror për Heroin e Kosovës Agim Ramadanin dhe Betejën e Koshares.

“Duke nderuar jetën, kontributin dhe sakrificën e Agim Ramadanit, ne nderojmë sot, të gjithë luftëtarët e Brigadës 138, të rënët dhe të gjallët”, tha në fillim të fjalës së tij, ministri Agim Çeku. “Beteja e Koshares ishte pjesë e rëndësishme e operacionit sulmues për çlirimin përfundimtar të Kosovës, që u organizua, u drejtua dhe u zbatua me plot sukses nga UÇK-ja dhe strukturat e saj drejtuese. Kosharja ishte prova e unitetit veprues të UÇK-së, e cila i bashkoi të gjithë nën një flamur–flamurin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kosharja dhe Brigada 138 e luajtën këtë rol historik dhe ishin të denjë për këtë mision, sepse në krye të saj, kishin luftëtarë, komandantë, idealistë e vizionarë të mëdhenj, si Agim Ramadanin, Sali Çekun e Xhemajl Fetahajn.

Agim Ramadani ka pasur një rol kyç në krijimin e këtij uniteti por edhe në planifikimin, zbatimin dhe udhëheqjen e operacionit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Ky unifikim e mban vulën e emrit dhe gjakut të Agim Ramadanit, padyshim që përfaqëson një nga sukseset më të mëdha të luftës sonë për liri. Brigada 138 është unike në historikun e UÇK-së, jo vetëm për numrin e madh të luftëtarëve që u bënë pjesë e saj, por edhe për pjesët e atdheut që ata kishin sjellë në këtë Brigadë. Nuk ka pjesë e Kosovës por edhe të viseve tjera shqiptare që të mos ketë pasur luftëtarë në këtë Brigadë. Prandaj edhe dëshmorët që ranë në këtë betejë ishin dëshmorë nga të gjitha pjesët e atdheut.

Të nderuar të pranishëm!

Emri dhe vepra e Agim Ramadani me të gjitha vlerat e mëdha që rrezaton është sot e pranishme edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës-atë që shumë shpejt do të jetë Ushtria e Kosovës. Është gjë e bukur kur tradita vazhdon. Është nder për ushtrinë e Kosovës që në mesin e saj, ka oficerë edhe birin e Agim Ramadanit i cili jam i bindur se do të vazhdojë rrugën e babait të tij, i cili është burim frymëzimi jo vetëm për të, por për të gjithë ushtarakët e Kosovës.

Agim Ramadani mbetet model i oficerit modern dhe të kompletuar, i cili ka pasur njohuri të shumta jo vetëm të fushës ushtarake, por nga të gjitha fushat.

Të nderuar të pranishëm!

UÇK-ja është një nga vlerat më të mëdha dhe më të qëndrueshme që ka krijuar kombi ynë. Ne do t’i mbrojmë dhe ruajmë të paprekura këto vlera të përjetshme që përbejnë bazamentin mbi të cilin po ndërtojmë shtetin dhe institucionet tona moderne.

Ne arritëm, që për herë të parë në historinë tonë, të jemi aleatë me popujt dhe forcat më demokratike dhe më liridashëse në botë.

Ne dëshmuam se e kemi merituar lirinë dhe pavarësinë. Këtë dëshmi e dhamë me politikë civilizues, me gatishmërinë për të bashkëpunuar, me kurajon qytetare për të falur dhe për të ndërtuar një jetë të përbashkët, me të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë, të barabartë mes të barabartëve.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë edhe gjatë luftës. Nuk është e largët dita kur Kosova do të ketë bëhet pjesë e strukturave evroatalntike, pjese e BE-së dhe NATO-s.

Kjo Kosovë, do t’i ketë gjithnjë rrënjët e saj, në Prekaz, në Gllogjan, në Koshare, si simbole të bashkimit të të gjithë qytetarëve të saj, tha në fund të fjalës së tij, ministri Agim Çeku.

Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” përshëndeti Anton Quni, ndërsa në emër të familjes Ramadani, Shukrije Ramadani. Akademia u përmbyll me një program artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *