Përmbledhja e aktiviteteve dhe punës së Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2011, prezantuar para mediave nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin kuçi

Përmbledhja e aktiviteteve dhe punës së Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2011, prezantuar para mediave nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin kuçi

Përmbledhja e aktiviteteve dhe punës së Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2011, prezantuar para mediave nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin kuçi

Që nga marrja e detyrës së ministrit të Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi më 22 shkurt 2011, Ministria e Drejtësisë ka realizuar progres të dukshëm në shumë fusha brenda fushëveprimit, kompetencës dhe kapaciteteve të saj.

Gjatë kësaj periudhe kohore, kujdes të veçantë pa dyshim Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar përmbushjes së obligimeve të dala nga Raporti i Progresit 2010. Gjithashtu, kujdes iu është kushtuar edhe rekomandimeve dhe konkluzioneve nga takimi i dytë i nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit.

Ministria e Drejtësisë veçanërisht ka luajtur rol kyç duke ofruar tërë ndihmën dhe ekspertizën e saj ne themelimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në bazë të Memorandumit të nënshkruar, është realizuar bartja e kompetencave dhe është bërë transferimi i stafit, administratës dhe buxhetit tek Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë është angazhuar për sigurimin e hapësirës për KGJK dhe KP në ish-objektin e OSBE.

Gjatë kësaj periudhe është vënë gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë dhe i Burgut të sigurisë së lartë, janë kryer përgatitjet e nevojshme së bashku me MAP dhe ZNKE përkitazi me fillimin e ndërtimit të Shtëpisë së përkohshme të sigurt dhe të Institutit të psikiatrisë Mjeko-ligjore, projekte këto të bashkë-financuara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Paraprakisht, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me MAP me ç’rast është pajtuar që kompetencat dhe të gjitha procedurat për ndërtimet kapitale të të lartpërmendurave të barten dhe të kalojnë tek MAP.

Nga MD janë ndërmarrë hapat konkret për transferimin e Divizionit për integrim gjyqësor në Këshillin gjyqësor të Kosovës. Shkrirja e stafit të këtij Divizioni në KGJK (në përbërje te personelit gjyqësor) është bërë me qëllim të zbatimit te vendimeve të qeverisë dhe menaxhimit sa më të mirë të mjeteve buxhetore. E gjithë kjo ka mundësuar efikasitetin më të mirë dhe përshpejtim të lëndëve të pazgjidhura të cilat janë regjistruar në Divizionin për Integrim Gjyqësor. Është finalizuar Databaza për Divizionin për Mbrojtje dhe Ndihme të Viktimave dhe ka filluar procesi i futjes se te dhënave, regjistrimit te rasteve të asistuara dhe veprimet te cilat janë ndërmarr ne drejtim te ofrimit te mbrojtjes dhe ndihmës për viktimat e krimit.

Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe përgjegjësisë publike para qytetarëve të Republikës së Kosovës, për punën, angazhimet dhe shpenzimet që bëhen në Ministrinë e Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim që çdo të premte të bëhen publike të gjitha shpenzimet javore, duke filluar nga Kabineti i Ministrit, Sekretari i Përgjithshëm, Departamentet, Agjencitë dhe Zyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Këto raporte tanimë gjenden në linkun e faqes ueb të MD: ”Shpenzimet e Ministrisë së Drejtësisë”.

Ministria e Drejtësisë ka lëshuar në funksion një numër pa pagesë në të cilin qytetarët mund t’i shprehin dhe paraqesin shqetësimet dhe ankesat e tyre lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë ku shërbimet për shfrytëzimin e këtij numri përmes thirrjeve janë pa pagesë. Përveç kutive të ankesave nëpër secilin Institucion të Ministrisë së Drejtësisë, ku mund të vendosen letrat në formë fizike, qytetarëve gjithashtu iu është dhënë mundësia t’i shprehin opinionet dhe shqetësimet e tyre në adresën elektronike, për çka do të ruhet konfidencialiteti i plotë në pajtim me rregullat dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë ka hartuar Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016. Ky plan parasheh disa ndryshime strukturore, të cilat janë menduar të bëhen si rezultat i përvojës dhe punës së deritashme të kësaj Ministrie, dhe gjithashtu duke i pasur parasysh raportet ndërkombëtare të hartuara për qëllim të rritjes së efikasitetit të kësaj Ministrie. Menjëherë pas miratimit të tij nga ana e Qeverisë, MD do të fillojë me zbatimin e këtyre qëllimeve dhe aktiviteteve. Në ndërlidhje me këtë dhe aktivitetet që parashihen në të, është realizuar rekrutimi i stafit të nevojshëm për MD si dhe është ne përfundim e sipër të procesit te sistematizimit te vendeve te punës. MD gjithashtu ka realizuar një sërë trajnimesh si përmes IKAP ashtu edhe përmes projektit të Binjakëzimit "Standarde te BE-se për MD".

Ndër të tjera, raport i posaçëm i kushtohet bashkëpunimit me media, si të shkruara ashtu dhe elektronike, për çka Ministria e Drejtësisë u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për përcjellje të çdo aktiviteti të saj.

DEPARTAMENTI PËR ÇËSHTJE LIGJORE AGJENCIA PËR ADMINISTRIMIN E PASURISË SË SEKUESTRUAR OSE KONFISKUAR

Ministria e Drejtësisë ka bërë funksionalizimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK) me kapacitete të plota, duke e organizuar këtë Agjenci dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Gjykatat, Prokuroritë, Policinë e Kosovës dhe organet tjera të kësaj fushe. Kjo Agjenci ka bërë kompletimin e stafit dhe ka arritur në një shkallë të mirë të funksionalizimit të saj. Kjo Agjenci ka bërë vendosjen e pikave të kontaktit dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet vendore të zbatimit të ligjit (Gjykata, Prokuroritë, Policia e Kosovës, Dogana, KPMM, AUK, ART, FIU, BQK, etj. Janë krijuar lidhje të ngushta bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare (Ambasada e SHBA-ve, DFID, Zyra Ndërlidhëse e Thesarit të SHBA-ve, KE- Projekti i Binjakëzimit, EULEX, etj) të cilët që nga fillimi i funksionalizimit të Agjencisë kanë bërë rekomandime dhe kanë sjellë ekspert me qellim te funksionalizimit sa më të mire të Agjencisë. Janë kryer analiza mbi masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren më qellim të ngritjes së nivelit të punës, efikasitetit, transparencës dhe funksionalizimit të plotë të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar në bazë të përvojës tetë mujore.

SHËRBIMI KORREKTUES DHE SHËRBIMI SPROVUES I KOSOVËS

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe disiplinës në punë në Shërbimin Korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës, por edhe duke respektuar të drejtat e të burgosurve, përmes Memorandumeve të Mirëkuptimit janë ftuar organizatat e shoqërisë civile të monitorojnë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Në këtë vazhdë, me vendim të Ministrit të Drejtësisë është themeluar dhe funksionalizuar Inspektorati për Shërbimin Korrektues të Kosovës i cili do të bëjë Inspektimin e punës së bërë në këto institucione dhe mbarëvajtjes së funksioneve të tij.

Ndërlidhur me punën e bërë nga SHKK, janë përmirësuar kushtet e përgjithshme në burgje në përputhje me kërkesat dhe normat ndërkombëtare si për nga akomodimi njashtu edhe për nga trajtimi, afrimi i përkujdesjes shëndetësore, ushqimi, arsimimi, aftësimi profesional dhe punësimi.

Rritja e masave të sigurisë në Institucionet Korrektuese të Kosovës (18.10.2011) – Ministria e Drejtësisë ka analizuar me seriozitet gjendjen e sigurisë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka kërkuar nga Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës të rrisë masat e sigurisë nëpër Qendrat Korrektuese e të Paraburgimit, si dhe të merr masa disiplinore ndaj shkelësve të ligjit. Për këtë qëllim MD ka marrë vendim që Policisë së Kosovë t’i sigurohet një zyre brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës, ku prania e tyre në këtë qendër do të jetë permanente.

DEPARTAMENTI PËR ÇËSHTJE LIGJORE

Progres i theksuar është arritur posaçërisht në procesin e përgatitjes dhe të hartimit të infrastrukturës ligjore të cilat janë të parapara ne strategjinë legjislative, shumica e të cilave ndërlidhet me sfidat e identifikuara nga Raporti i progresit. Në lidhje me këtë, duhet të ceket se gjatë kësaj periudhe, Ministria e Drejtësisë, respektivisht DÇL ka arritur që të hartojë të gjitha ligjet të cilat janë identifikuar si sfida në Raportin e Progresit të viti të kaluar.

Departamenti për Çështje Ligjore vazhdimisht ka treguar performancë të shquar dhe gatishmëri për punë dhe përkushtim sa i përket raporteve lidhur me legjislacionin e po ashtu edhe ligjeve qe kanë te bëjnë me paketën kundër Korrupsionit, për këtë Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Agjencinë kundër Korrupsion, Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, etj.

Departamenti Ligjor i Ministrisë së Drejtësisë ka bërë sigurimin e pajtueshmërisë së
projektligjeve dhe të akteve tjera nënligjore me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi në Kosovë. Janë hartuar, vlerësuar dhe harmonizuar me Kushtetutën, dhe legjislacionin në fuqi si dhe me standardet evropiane të gjitha projektligjet të cilat i janë proceduar Qeverisë për miratim. Është bërë kryerja e revidimeve ligjore dhe gjuhësore me qëllim që përmbajtja ligjore dhe kuptimi i projektligjit të jetë teknikisht i saktë dhe identik në të tri gjuhët si dhe formatizimi i projektligjit. Po ashtu janë përgatitur shkresat përcjellëse për të gjitha projektligjet e dërguara për miratim në Qeveri.

Përveç rolit bashkërendues dhe shqyrtues në të gjitha Grupet Punuese Qeveritare, gjatë kësaj periudhe DÇL ka qenë bartës i hartimit të 14 projektligjeve të parapara me strategjinë legjislative 2011. Nga këto 14 projektligje, janë miratuar nga Qeveria e Kosovës dhjetë (10) projektligje dhe janë proceduar për miratim në Kuvend. Kuvendi ka miratuar 7 ligje të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, kurse 3 projektligje tjera janë në procedurë të miratimit. 4 projektligje janë në fazën e finalizimit nga grupet punuese përkatëse. Njëkohësisht, Departamenti për Çështje Ligjore ka qenë bartës i hartimit të 7 akteve nënligjore të miratuara nga Ministri.

DEPARTAMENTI PËR BASHKËPUNIM JURIDIK NDËRKOMBËTAR

Duke marrë parasysh nevojën dhe kërkesën për ngritjen e kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit Juridik ndërkombëtarë si dhe duke i’u përshtatur kërkesave në rritje për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe rëndësinë e bashkëpunim juridik ndërkombëtar, Ministria a Drejtësisë ka ngritur nga Divizionit, me kapacitet të plotë, Departamentin për bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Ky akt ka shtuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve bilaterale në lidhje me bashkëpunimin gjyqësore me shtete të ndryshme, me qëllim që Kosova të jetë në pozicion që ti përmbushë obligimet e veta ndërkombëtare që të bashkëpunojë me shtete të ndryshme për të siguruar sundim të ligjit. Gjithashtu, funksionimi i mirëfilltë i kësaj lëmie dhe këtij departamenti do të bëjë të pamundur shtetasve të Kosovës dhe atyre të huaj për ti ikur drejtësisë, pavarësisht vendndodhjes.

Është me shumë rëndësi të përmendet se së voni, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar një marrëveshje teknike për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik me shtetet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kështu, është mundësuar që të vazhdojë bashkëpunimi për çështje të rëndësishme penale me vende të treta, në drejtim të vënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë.

PROFESIONET E LIRA

Me qëllim të eliminimit të mbingarkesës së lëndëve të konsiderueshme të rasteve gjyqësore, Ministra e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa konkretë në funksionalizimin e sistemit të noterisë në Kosovë. Gjatë kësaj faze, është arritur që të certifikohen 48 noterët e parë në republikën e Kosovës. Funksionalizimi i sistemit noterial do të ketë ndikim të fuqishëm dhe mjaft pozitiv në sistemin gjyqësor, ngasë se pari funksionalizimi i noterisë i shkarkon gjykatat nga disa punë jokontestimore e administrative, forcon edhe më tutje lirit e të drejtat e njeriut dhe ngrit transparencën para qytetarëve. Konkursi do të publikohen javën që vjen për Zyrat e lira noteriale dhe këta notërë pas përmbushjes së obligimeve ligjore pritet që të fillojnë punën nga fundi i marsit të vitit 2012, kur ata varësisht nga përmbushja e kritereve edhe do të licencohen.

Gjithashtu, është funksionalizuar dhe është kompletuar korniza ligjore për funksionalizimin e institucionit të ndërmjetësimit. Janë licencuar 87 ndërmjetësit e parë të Republikës së Kosovës. Përmes këtij Licencimi Ministria e Drejtësisë u mundëson ndërmjetësve që të ushtrojnë aktivisht funksionin e tyre prej ndërmjetësuesi. Procesi i ndërmjetësimit si proces komplementar i gjykatës do të ndihmojë institucionet, gjyqësorin e Kosovës në veçanti sa i takon uljes së numrit të lëndëve e të cilat do të mund t’i dërgoheshin gjykatës drejtpërdrejt. Ministria e Drejtësisë do të mbajë ndërmjetësimin si një nga prioritetet e saj dhe do të ndihmoi në zbatimin e tij si formë alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

MD gjithashtu ka rritur efikasitetin sa i takon procedurave për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Këtu vlen të përmendet që me vendim të Ministrit të Drejtësisë është zbritur pagesa për dhënien e këtij provimi.

Në kuadër të kompetencave të saj, Ministria e Drejtësisë ka bërë përfaqësimin e Qeverisë dhe autoriteteve tjera publike në procedurat gjyqësore dhe të arbitrazhit, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Janë hapur ose pranuar 2774 raste të Procedurës Kontestimore & Jokontestimore, Përmbarimore dhe Administrative, prej tyre në 286 raste Komunat janë palë ne procedurë, ndërsa ka përfaqësuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në gjithsej 624 raste.

DEPARTAMENTI I MJEKËSISË LIGJORE

Gjithashtu Ministria e Drejtësisë ka bërë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të stafit të Departamentit për Mjekësi Ligjore, në një varg disiplinash si: Histopatologji forenzike, toksikologji forenzike, etj, me qëllim të përafrimit me nivel të standardeve evropiane të procedurave të autopsisë. Njëkohësisht është bërë edhe ngritja e bashkëpunimit në nivel operacional edhe me EULEX-in, kjo më së mirë është vërtetuar me faktin që për vitin 2011 së bashku me EULEX-in janë bërë të gjitha planifikimet për zhvarrime, EULEX-i gjithashtu rregullisht ka njoftuar DML për të gjitha planifikimet e eks-humimeve. Ekspertet e EULEX-it kanë përfunduar trajnimin e Sektorit të ID-se për Njohuritë Esenciale Antropologjike. Gjithashtu se bashku me EULEX-in, janë bërë kualifikimet për trajnimin e tere stafit te DML-se përmes Grantit të dhënë nga Mbretëria e Belgjikës.

INSTITUTI PËR HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS

Ministria e Drejtësisë ka themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Ky Institut, tashmë si institucion publik hulumtues, ka qëllim të koordinojë, përcjellë dhe kryej hulumtimin e krimeve të luftës kundër paqes, krimet e gjenocidit dhe të shkeljeve tjera të rënda të drejtës ndërkombëtare të kryera në Kosovë. Përkundër vështirësive Instituti ka arritur të konsolidohet dhe të filloj së funksionuari në të cilën edhe rezultatet nuk kanë munguar.

IHKL Ka hartuar objektivat strategjike 2011-2016 në të cilën ka paraparë planin e saj të veprimit dhe zhvillimit. Në kuadër të këtij plani janë të parapara objektivat e përgjithshme, qëllimet, vizioni dhe detyrat të cilat duhen të përmbushen në periudha kohore të përcaktuara saktësisht. Kjo strategji do të kontribuojë në zhvillimin e Institutit dhe do të jetë si udhëzues i punës së saj në vitet vijuese dhe njëherësh do të jetë matës i suksesit në punën e saj;

Ndër punët e para dhe shumë të rëndësishme që ka identifikuar Këshilli i IHKL-së ka qenë hartimi i listës kontaktuese me persona dhe organizata që janë marrë me punën e hulumtimit të Krimeve të Luftës në Kosovë, dhe hartimi i një harte me masakrat më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë 1998 – Qershor 1999. Gjithashtu, IHKL ka kontaktuar me disa nga përfaqësuesit e organizatave dhe individët të cilët kanë mbledhur dhe botuar fakte për krime lufte në Kosovë.

Të dhënat e paraqitura më lartë paraqesin vetëm disa nga të arriturat më konkrete të Ministrisë së Drejtësisë. MD mbetet e përkushtuar në përfundimin e suksesshëm të të gjitha proceseve si ligjvënëse ashtu edhe të natyrave të tjera tashmë të iniciuara nga ajo, pa lënë anash iniciativat e shumta për secilën fushë të kompetencave të saj, me qëllim të përmirësimi të sundimit të ligjit në Kosovë.

SFIDAT QENËSORE TË MINISTRISË SË DREJTËSISË

Problematikë kryesore mbetet funksionimi i Gjykatave në veri. Duke pasur parasysh një sërë elementesh që ndërlidhen me këtë, qoftë politike apo edhe profesionale e personale të gjyqtarëve, MD ka hasur në një progres më të ngadaltë në këtë sferë. Megjithatë duke u ndërlidhur me vazhdën e shtrirjes së sovranitetit në veriun e Kosovës, e cila filloi me vënien në kontroll të pikave kufitare, MD dhe Qeveria e Kosovës gjithashtu ka filluar angazhimet e saj të para në aktivizimin edhe të gjykatave atje.

Numri i madh i lëndëve të grumbulluara nëpër gjykata gjithashtu mbetet sfidë e sundimit të ligjit në përgjithësi në Kosovë. Megjithatë, në kuadër të kompetencave të saj të garantuara me ligj, MD ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’i mundësuar gjyqësorit tonë që të zvogëlojë numrin e lëndëve të mbetura. Nga kjo mbështetje duhet të përmendet veçanërisht hartimi i Strategjisë Nacionale për Reduktimin e Lëndëve, por gjithashtu sigurimi i mbështetjes politike e edhe financiare për të ngritur kapacitetet e gjykatave në çdo aspekt.

PANELI PËR LIRIM ME KUSHT

Paneli për lirim me kusht është riorganizuar dhe është ngritur cilësia e vendimmarrjes dhe përcjellët me transparence te plote. Meqenëse procesi i panelit monitorohet nga shoqëria civile dhe EULEX-i. Paneli ka rritur integritetin e vet, besueshmërinë e burgosurve, opinionit publik dhe qytetareve.

Pas rifunksionalizimit të Panelit, seanca e parë është mbajtur me 19 prill 2011 dhe deri me tani janë mbajtur gjithsej tridhjetë (32) seanca.

431 – persona të denuar aplikuan, ndërsa paneli ka shqyrtuar 402 raste/kërkesa për lirim me kusht. Për këtë vit kanë mbetur edhe 29 raste për tu shqyrtuar dhe për këto raste janë paraparë dy seanca qe do të mbahen me 28 dhjetor 2011.

HARTIMI I PLANIT ZHVILLIMOR STRATEGJIK

MD ka hartuar Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, dhe së shpejti do të procedohet për miratim në Qeveri. Në ndërlidhje me këtë dhe aktivitetet që parashihen në të, është realizuar rekrutimi i stafit të nevojshëm për MD si dhe është ne përfundim e sipër të procesit te sistematizimit te vendeve te punës. MD gjithashtu ka realizuar një sërë trajnimesh si përmes IKAP ashtu edhe përmes projektit të Binjakëzimit "Standarde te BE-se për MD".

Ky plan parasheh disa ndryshime strukturore, të cilat janë menduar të bëhen si rezultat i përvojës dhe punës së deritashme të kësaj Ministrie, dhe gjithashtu duke i pasur parasysh raportet ndërkombëtare të hartuara për qëllim të rritjes së efikasitetit të kësaj Ministrie. Menjëherë pas miratimit të tij nga ana e Qeverisë, MD do të fillojë me zbatimin e këtyre qëllimeve dhe aktiviteteve.

Ndër të tjera, raport i posaçëm i kushtohet bashkëpunimit me media, si të shkruara ashtu dhe elektronike, për çka Ministria e Drejtësisë u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për përcjellje të çdo aktiviteti të saj.

Prishtinë, 24 dhjetor 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *